EcoZ organizoi një aktivitet të rëndësishëm me nxënësit nga pesë komunat e Kosovës: Vushtrri, Mitrovicë, Obiliq, Prishtinë dhe Lipjan. Së bashku, kemi zhvilluar një diskutim të thelluar mbi temën e mbrojtjes së mjedisit, me fokus në krijimin e rregulloreve me orientim ekologjik për shkollat e mesme dhe fillore të Kosovës.
Nxënësit e këtyre shkollave ishin një burim i jashtëzakonshëm idesh dhe energjie pozitive, duke treguar angazhimin e tyre për të bërë një ndryshim. Gjatë trajnimit, fokusi ishte mbledhja e inputeve nga këta nxënës, të cilat do të na ndihmojnë në mënyrë të rëndësishme gjatë hartimit të rregulloreve mjedisore për shkollat e Kosovës.
Përgjatë aktivitetit, nxënësit kontribuan aktivisht duke ndarë pikëpamjet e tyre dhe duke propozuar masa konkrete për përmirësimin e mjedisit në shkollat e tyre. Entuziazmi dhe idetë e tyre inovative janë të paçmuara në përpjekjet për të bërë shkollat më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.
Ky aktivitet u mundësua në kuadër të Projektit "Qëndrueshmëria Mjedisore me Fëmijët," i zbatuar nga EcoZ në partneritet me Save the Children Kosova/o dhe financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Zhvillim (Sida).